Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka miratuar vendimin përmes të cilit u mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë regjistruar faktet e gjendjes së tyre civile (lindjen, martesën dhe/apo vdekjen) në strukturat ilegale e paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershori 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.
MPB, më 29.11.2024, ka thënë se ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të ligjshmërisë për formalizimin e statusit civil të qytetarëve në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.Tutje është bërë e ditur se procesi i regjistrimit do të kryhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil dhe do të jetë i hapur nga data 1 shkurt 2025 deri më 30 prill 2025.
“Për të aplikuar, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në bazë të llojit të faktit që synojnë të regjistrojnë. Në periudhën e ndërmjetme, nga dhjetori i këtij viti deri më 1 shkurt 2025, do të zhvillohen dhe sesione të ndryshme informuese për të gjithë qytetarët, për t’i ndihmuar dhe asistuar në këtë proces”- thuhet në njoftim.Ministria e Punëve të Brendshme ka ftuar të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo mundësi për të rregulluar statusin e tyre civil.