Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar të mërkurën se e ka nënshkruar vendimin për vënien e hapave të para për ngritjen e industrisë ushtarake.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se vendimi është për themelimin e një komisioni ndërministror për qëllimin dhe vlerësimin për nisjen e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhim të municioneve dhe për laboratorin për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.
“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencë pas mbledhjes ka thënë se për ndërtimin e fabrikës së municioneve janë në koordinim të ngushtë me partnerët. Ai ka inkurajuar kompanitë private të hapin fabrika të tilla.
“Po fillojmë epokë të re për mbrojtjen dhe sigurinë, duke krijuar qëndrueshmëri edhe në aspektin e prodhimit dhe furnizimeve me sisteme të armatimit. Komisioni ndërministror do të hulumtojë dhe negociojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit, që do të jetë e para në Kosovë. Për këtë kemi zhvilluar në vazhdimësi komunikim me partnerët tanë. Kemi pranuar edhe një raport fizibiliteti me prodhues shtetërorë nga Turqia. Jemi në finalizimin e këtij projekti. Komisioni i cili do të kryesohet nga unë do të finalizojë kontratën me të cilën fillojmë punën për hapjen e fabrikës. Kjo nuk do të pengojë sektorin privat. Të gjitha kompanitë inkurajohen për hapjen e fabrikave të tilla. Sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municioneve dhe armëve, por edhe krijimin e rezervave duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë”, ka thënë Maqedonci, duke shtuar se synojnë që edhe fluturaket pa pilot t’i prodhojnë në Kosovë.