Në Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq do të ketë polic të sektorit (që përbën disa lagje), ku banorët e sektorit përkatës do të kenë mundësi të raportojnë secilin rast te polici i tyre.
Kështu ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga organizata joqeveritare “EDU Task” më 26.11.2024.
“Tash e kemi filluar ‘Policinë në Komunitet’. Tash kemi filluar me pasë policin e lagjes, besoj se brenda javës do të kryhen disa tiketa, disa ID karta që lagjja me e ditë policin e vet, me e njoftë policin e vet dhe me lajmëru rastin te polici. Janë ndarë në secilën komunë policët e sektorëve. Secili stacion e ka koordinatorin e sektorëve e nga sot edhe me vendim është koordinatori në kuadër të DPP-së”- tha Elshani.
Ndërsa shefi i Operativës Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Petrit Fejza, ka thënë se janë caktuar këta zyrtarë policorë në katër komunat veriore.
“Veçse kemi filluar me ‘Policinë e lagjes’, janë caktuar në të gjitha komunat e veriut. Është aktive, kemi probleme në terren mirëpo për momentin jemi duke u marrë me këtë punë. Mundem me ju thanë juve dhe gjithë organizatave joqeveritare që 7 policë që po diskutojmë për ta dhe 48 tjerë që i kemi këtu nuk ka shkollë në pjesën veriore që nuk kanë hyrë dhe nuk kanë diskutuar me secilin drejtor”- tha Fejza.
Ndryshe, përfaqësues serbë të shoqërisë civile në Mitrovicë të Veriut po pretendojnë se zyrtarë të Policisë së Kosovës e qytetarë të nacionalietit shqiptar po ngacmojnë seksualisht gra dhe vajza të komunitetit serb.
Tema e “ngacmimeve seksuale” u diskutua në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga organizata joqeveritare “EDU Task” më 26.11.2024 në “Diakonie Youth Center” në Mitrovicë të Jugut.
Në këtë diskutim morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb, përfaqësues të lagjeve në Mitrovicë të Jugut, zyrtarë të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë nga Inspektorati Policor i Kosovës.