Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, dhe katër të akuzuar të tjerë janë deklaruar të premten të pafajshëm për vrasjen e Visar Cengit, në janarin e vitit të kaluar. Prokurorja speciale, Florije Shamolli, ka theksuar se konflikti që çoi në vrasjen e qytetarit nga Kukësi ka ndodhur shkaku i faturave, ndërkaq avokatët e kanë cilësuar të pabazë aktakuzën.
Janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë i akuzuari Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, dhe katër të akuzuarit e tjerë për vrasjen e Visar Cengit, në janar të vitit të shkuar në lokalin “Cobra City” në Prizren.
Por, prokurorja e rastit, Florije Shamolli, ka insistuar se provat e siguruara gjatë fazës së hetimeve e tregojnë të kundërtën.
“Konflikti që çoi në vrasjen e Cengut ishin faturat dhe, përmes marrjes së deklaratave në procedurë paraprake të dëshmitarëve, është vërtetuar se të akuzuarit i kanë ndërmarrë veprimet përkatëse të përshkruara si në aktakuzë, andaj gjykata në fund do t’i gjejë fajtorë dhe do t’i dënojë”, ka thënë ajo.
E, Behar Cengu, një nga familjarët e të ndjerit që është nga Kukësi, ka theksuar se më së paku e kishte pritur që Cengu të vritej në Kosovë.
“Unë personalisht jam ushtar dhe njeriu armën nuk e përdor ndaj vëllait. Shqiptarët e Shqipërisë duhet të priten si vëllezër në Kosovë”, ka thënë ai.
Por, të akuzuarit dhe avokatët e tyre kanë mohuar implikimin në vrasje.
Florent Latifat, mbrojtësi i Dibran Hoxhës, ka kontestuar deklaratat e dëshmitarëve.
“Këto deklarata janë kontradiktore, do të shihet që klienti im është i pafajshëm”, ka thënë avokati para trupit gjykues.
Akuzat i kanë mohuar edhe avokatë të të akuzuarve të tjerë. Ndërkaq i akuzuari Hoxha ka kërkuar që edhe palët e tjera të dëmtuara të sqarojnë situatën se si ka ndodhur.
“Kushdo që e sheh këtë seancë nga mediet të lajmërohen, edhe palët e tjera dhe ta sqarojnë situatën. Ka pasur aty që janë frikësuar, për shkak që ai është klub nate dhe të mos dallohen që kanë qenë aty, nuk kanë dëshmuar, por i lus përmes medieve të vijnë dhe të dëshmojnë”, ka thënë Hoxha.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 20 shkurt kundër Dibran Hoxhajt dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren, një vit më parë.
Sipas aktakuzës, Hoxha më 3 janar të 2023-s, në orën 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City” në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje e ka privuar nga jeta Visar Cengin dhe ka vënë në rrezik edhe jetën e dy të dëmtuarve të tjerë. Rasti, sipas aktakuzës, ka ndodhur pasi të dëmtuarit nuk janë pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke e nisur kësisoj një zënkë me punëtorët e lokalit. Pas zënkës, viktima dhe të dëmtuarit hynë në veturën e tipit “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Hoxhaj pasi është njoftuar për ngjarjen, ka arritur në lokal me veturë “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu, ka hyrë në lokal, e ka marrë pistoletën dhe i është afruar veturës së të dëmtuarve. Në aktakuzë theksohet se nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, i akuzuari ka hapur derën e vozitësit, të dëmtuarit R.T. dhe ka shkrepur me armë, duke e plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T., i cili ka rritur shpejtësinë e veturës dhe ka dalë në rrugë. Por, sipas aktakuzës, i akuzuari “Kobra” ka shtënë me armë edhe katër herë të tjera, duke e goditur në shpinë viktimën, i cili ka qenë në ulësen e pasme të veturës.
Për këtë “Kobra” akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. E në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Roland Susuri dhe Burim Mazreku në lokalin “Kobra City” pas ngjarjeve të ndodhura i fshehin provat, ku fillimisht Mazreku me kërkesë të Dibran Hoxhës fsheh pistoletën si dhe armën tjetër. Aktakuza thotë se arma është gjetur nga ana e policisë në afërsi të lokalit “Kobra City”, kurse Susuri kishte fshehur DVR e kamerave të sigurisë së lokalit në vend të paidentifikuar./KOHA/