Të shtunën mbrëma, në palestrën “ Olympic center” në Heidelberg të Gjermanisë, boksieri me prejardhje nga Prizreni, Labinot Xhoxhaj, do të luftoj për titullin evropian në versionin EBU të peshave të rënda. Xhoxhaj, në ring do të sfidoj mbajtësin e xherdanit të EBU-së, ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi, i cili deri më tani nuk pësuar asnjë humbje në 19 duele në boksin profesionist.
Meçi do të zhvillohet në 12 raunde, ndërsa boksieri shqiptar, Labinot Xhoxhaj, i cili deri më tani në boksin profesionist ka 20 meçe të zhvilluara, me bilanc 19 fitore dhe vetëm një humbje, shprehet mjaft optimist për duelin e tij të radhës, duke bërë thirrje për mbështetje nga bashkëatdhetarët për të arritur deri tek titulli i rëndësishëm i kampionit evropian në versionin EBU.
“Kam marrë një mundësi të madhe në momentin e fundit dhe natyrisht jam gati ta shfrytëzoj! Më 23 nëntor do të garoj në peshën e rëndë në Olympic Center Heidelberg dhe do të luftoj për titullin Kampion i Europës EBU. Është një sfidë e re për mua dhe do të jap gjithçka që të sjell fitoren dhe titullin në shtëpi. Ejani dhe më përkrahni në këtë meç të rëndësishëm! Mbështetja juaj bën diferencën – së bashku do të bëjmë histori!”, ka shkruar Xhoxhaj në facebook.