Kooperativa Bujqësore “Krusha” përmes një reagimi është shprehur e zhgënjyer në lidhje me refuzimin për marrjen e një granti nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila udhëhiqet nga ministri Faton Peci.
I kontaktuar nga KALLXO.com, ministri Peci nuk komentoi rastin, por tha se janë të hapur të japin detajet, duke kërkuar t’i drejtohemi kabinetit të tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook KB “Krusha”, e cila drejtohet nga Fahrije Hoti, thekson se refuzimi u bë me arsyetimin se “mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”.
“Dëshirojmë të theksojmë se thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim”- thuhet në reagimin e tyre.
KB “Krusha” ka sqaruar se nuk kanë marr asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë nga viti 2015.
“Në atë kohë, edhe pse u shpallëm përfitues, procesi u shoqërua me vështirësi dhe pagesa e grantit nuk u realizua plotësisht për shkak të problematikave procedurale nga ana e institucioneve. Që nga ai vit, nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga MBPZHR, pavarësisht rolit tonë të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë dhe eksportit”.
Në lidhje me këtë reagim të KB “Krusha”, KALLXO.com kontaktoi me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Ai nuk iu përgjigj thirrjes telefonike, por dha një përgjigje përmes SMS-it.