Bashkimi Evropian tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin e Asociacionit jashtë dialogut, të lehtësuar në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se BE-ja e mbështetur nga vendet e saj anëtare dhe partnerët e saj përfshirë SHBA-në, zyrtarisht e ka paraqitur draft–statutin evropian për krijimin e Asociacionit. Ai tha se ky draft i është prezantuar personalisht kryeministrit Kurti nga lehtësuesi i BE-së së bashku me këshilltarët e sigurisë kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së. Stano tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të heq dorë nga përgjegjësitë e saj të dialogut ose t’i delegojë ato tek komunat me shumicë serbe.
“Në vitin 2013, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. 11 vjet më vonë, Kosova ende nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të saj dhe për këtë arsye po dështon në përmbushjen e detyrimit të saj të qartë sipas ligjit ndërkombëtar, i cili më pas u përsërit në marrëveshjet e 2015 dhe 2023. Sipas Marrëveshjeve përkatëse të Dialogut të 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e ASM-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në Dialog. Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë Statutin jashtë Dialogut”, tha Stano për RTV21