Shoqata Handikos në Prizren ka vazhduar aktivitetet për të mbështetur dhe fuqizuar komunitetin e personave me aftësi të kufizuara në Komunën e Prizrenit, përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohet në kohët e fundit, veçmas për sigurimin e mjeteve ndihmëse si rezultat i rritjes së kërkesave.
Sipas njoftimit të kësaj shoqate, gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh në këtë drejtim, përfshirë avokimin për punësimin e PAK-ve, raporton Telegrafi.
“Një nga angazhimet kryesore ka qenë ngritja e çështjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara, sipas ligjit 50/1, por deri tani nuk kemi marrë ende një përgjigje konkrete nga autoritetet”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se gjatë kësaj periudhe kohore 135 persona kanë përfituar mjete ndihmëse dhe 100 të tjerë kanë marrë mjete higjienike, derisa 100 përfitues kanë marrë shërbime psiko-sociale të domosdoshme.
Handikos Prizren ka shprehur mirënjohjen edhe për një donator anonim nga Zvicra, i cili ka sjellë mjete ndihmëse që nga muaji gusht duke mbështetur kësisoj komunitetin e PAK-ve.
Por kjo shoqatë ka pranuar se si rezultat i rritjes së kërkesave po përballet me sfida për sigurimin e mjeteve ndihmëse që janë të domosdoshme për PAK-të, raporton Telegrafi.
“Megjithatë, kohët e fundit po përballemi me vështirësi të mëdha dhe mungesë të vazhdueshme të furnizimeve me mjete ndihmëse, për shkak të rritjes së kërkesave nga qytetarët e Prizrenit. Shpresojmë që në të ardhmen të gjejmë një zgjidhje për të vazhduar këtë shërbim jetik, pasi Handikos Prizren mbetet e vetmja OJQ në rajonin e Prizrenit që ofron pajisje dhe mbështetje për të gjithë qytetarët në nevojë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/