Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Hungari ku do të marrë pjesë në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian.
Kështu ka bërë të ditur Presidenca, ku thuhet se në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.
Njëherit, ajo do të marrë pjesë në dy sesione plenare të EPC-së, ku do të mbajë dy fjalime në dy raste të ndryshme.“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest. Në këtë Samit, Presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike. Presidentja Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike. Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu, Presidenca njofton se gjatë qëndrimit në Hungari, Osmani do të zhvillojë një takim edhe me mërgatën shqiptare atje.
Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj.