Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm si Qeveri, ta ndihmojnë Prokurorinë e shtetit për të sjellë drejtësinë pas tetë viteve, rreth zbardhjes së rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Gjatë homazheve në varrezat e Zllatarit në Prishtinë, kryeministri Kurti ka thënë se “kjo goditje tejet e rëndë vazhdon edhe pas tetë viteve në një formë tjetër, nëpërmjet drejtësisë që mungon”.
“Kjo goditje tejet e rëndë vazhdon edhe pas tetë viteve, në një formë tjetër, nëpërmjet drejtësisë që mungon. Në këto tetë vite, katër prokurorë e kishin rastin e mbytjes në burgun e Prizrenit, të Astritit, por që të katër dolën në pension, pa e kryer punën. Tash është prokurori i pestë që e ka marr rastin. Dhe si LVV, si Qeveri e Republikës, jemi shumë të interesuar, fort të gatshëm, gjithnjë të vullnetshëm, që ta ndihmojmë me krejt çka mundemi e dimë Prokurorinë e shtetit, për të sjellë drejtësi për Astritin dhe familjen e tij”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, sipas babait të Astritit, deputetit, Avni Dehari ata që kanë bërë krimin ndaj djalit të tij edhe sot e kësaj dite mundohen të fshijnë gjurmët e tyre.
Dehari, është shprehur se nëse nuk zbardhet ky rast, vërteton se gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel.
“Tetë vite, një njeri që ka humbur jetën në një institucion të Kosovës të mos zbardhet e vërteta, për të flet vet, sepse ata që kanë bërë krimin ndaj Astritit dhe drejtësisë në përgjithësi edhe sot e kësaj dite, mundohen të fshehin gjurmët e tyre. Nëse nuk zbardhet ky rast dhe raste të tjera, flet shumë se gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel dhe Kosova nuk e meriton të ketë një gjyqësi të tillë”, është shprehur Dehari.
Gjithashtu, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka theksuar se katër prokurorët që kanë pasur në dorë rastin e aktivistit të LVV-së, Deharit, sipas tij kanë dashur të manipulojnë të vërtetën “kinse Astriti ka vdekur në spitalin e Prizrenit”.
“Ky është skandali më i madh, rasti më i dhimbshëm pas përfundimit të luftës në Kosovë. Një mori prokurorësh, kanë dashur të manipulojnë të vërtetën, duke deklaruar rrejshëm, për manipulim të opinionit publik të qytetarëve dhe të tjerëve, kinse Astriti ka vdekur në spital, gjë që dokumenti i spitalit e tregon, që Astriti është dërguar pa shenja jete”, ka theksuar Gashi.
Të pranishëm në homazhe ishin familjar, pjesëtar të kabinetit qeveritar dhe deputetë./KosovaPress