Në Shqipëri është konfirmuar prezenca e sëmundjes së shpezëve, gripi i shpezëve H5N1, në afërsi të Tiranës, në një fermë ekonomie familjare.
Kështu ka njoftuar për KALLXO.com zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi.
Sipas Thaçit, pasi janë informuar për shfaqjen e girpit të shpezëve në Tiranë, AUV ka ngritur menjëherë masat e kontrollit kufitar në Kosovë.
Trupat inspektuese veterinare kufitare janë urdhëruar të kryejnë kontrolle të detajuara të ngarkesave me produkte ushqimore me origjinë shtazore, kafshë apo shpezë të gjalla, duke zbatuar në përpikëri procedurat e kontrollit për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjes në vendin tonë përmes kalimit të rregullt kufitar” – ka thënë Thaçi më 04.11.2024.
Thaçi tha se për momentin prezencë të gripit të shpezëve ka edhe në Maqedoni të Veriut.
Në të dy vendet, sipas tij, gripi i shpezëve është i kufizuar në një zonë të izoluar dhe në ferma të ekonomive familjare – pula oborri për nevoja familjare.
“Vendi ynë nuk është i rrezikuar në nivelin për të vendosur masa kufizuese për importin. Vendet përkatëse kanë vendosur masa të brendshme, që nënkupton se këto zona janë në karantinë dhe kanë pezulluar lëshimin e certifikatave për këto zona, për të penguar përhapjen brenda territorit të tyre, gjë që rrit sigurinë edhe për vendin tonë” – ka shtuar Thaçi.