Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i rritur për 20 për qind pensionet, është mirëpritur nga përfituesit në Prizren, ndonëse të njëjtit konsiderojnë së rritja është e pamjaftueshme marrë për bazë koston e jetesës.
Kategoritë e ndryshme të përfituesve kanë vlerësuar se pensionet, edhe me rritjen e fundit, nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e tyre. Prandaj edhe kanë kërkuar rishikim të skemës pensionale, me qëllim që të ofrohet trajtim i dinjitetshëm për përfituesit, raporton Telegrafi.
Jusuf Vraniqi nga Organizata Komunale e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren ka theksuar se legjislacioni ende ka mangësi sa i përket përmbushjes së drejtave të pensionistëve. Sipas tij edhe rritja e fundit lineare e pensioneve prej 20% nuk mjafton për të mbuluar koston e jetesës dhe shpenzimet e inflacionit.
“Kur dalim shembull në treg kostoja nuk mjafton, nuk përputhet me asgjë. Kështu që përsëri duhet të falënderojmë si para lufte edhe tani diasporën, pasi ata kanë kujdes për të afërmit e vet, duke filluar prej fëmijëve, vëllezërve, prindërve, me rend. Duhet të jemi të kënaqur që e kemi këtë afërsi në familjet tona dhe po vazhdojmë. Se do binim në shumë vështirësi, në kolaps, në tërësi”, ka thënë Vraniqi.
Sipas tij, gjatë kontakteve me zyrtarët e lartë qeveritare ka pasur premtime se do të ketë përmirësime në këtë drejtim në të ardhmen e afërt.
“Qeveria po mundohet në çdo aspekt që ti plotësoj kërkesat, por të ardhurat e rritura prej 20% nuk mjaftojnë. Të gjithë e dimë realitetin që nuk mbërrihet. Mirëpo kemi premtime edhe ne gjithmonë kemi qenë optimistë dhe përsëri besojmë se Qeveria do të na përgjigjet në mënyrë adekuate”, ka deklaruar Vraniqi për Telegrafin.
Në anën tjetër Merita Shala nga shoqata “Handikos” në Prizren ka theksuar se rritja e fundit e pensioneve nuk mjafton marrë parasysh nevojat që kanë komuniteti i personave me aftësi të kufizuara.
“Ndërkohë që çdo rritje e pensioneve është një hap pozitiv, vlerësojmë se kjo rritje e fundit nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat reale të Personave me Aftësi të Kufizuara. Shumë prej tyre përballen me shpenzime të përditshme që tejkalojnë ndjeshëm përfitimet aktuale”, ka thënë Shala.
Sipas saj përqindja e rritjes së pensioneve nuk përkon me kërkesat e PAK-ve.
“Edhe pse rritja ishte e mirëpritur, ajo nuk i plotëson kërkesat tona. Për shembull, për paraplegjikët, rritja e llogaritur prej 20% për pensionet bazuar në shumën prej 375 euro nuk u zbatua saktë. Në vend të 444 eurove, ata marrin vetëm 430 euro, duke e bërë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e tyre. Kjo mos llogaritje prek direkt të drejtat e tyre”, është shprehur ajo.
Shala ka propozuar rishikimin e skemës pensionale.
“Propozojmë që pensionet të rishikohen për të reflektuar më saktësisht nevojat reale të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, duke i kategorizuar drejt dhe duke eliminuar diskriminimin. Është e padrejtë që personat me paraplegji dhe tetraplegji të renditen në kategorinë e dytë dhe të përfitojnë vetëm 180 euro, kur duhet të jenë në kategorinë e parë. Kjo përbën një mohim të të drejtave të tyre dhe krijon një pabarazi të panevojshme”, ka deklaruar ajo për Telegrafin.
Ndërkaq Resmije Rahmani nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës ka vlerësuar se rritja e pensioneve është e mirëseardhur, megjithëse e pamjaftueshme.
“Kjo është rritja e parë që nga viti 2017 për përfituesit e Ligjit për paraplegji/tetraplegji, që nga miratimi i këtij ligji. Unë jam përfituese e këtij ligji. Por rritja ishte konfuze për përfituesit e Ligjit për paraplegji/tetraplegji, pasi ka pasur një gabim në publikimin e Ministrisë dhe ministrit. Përfituesit e këtij ligji merrnin 375 euro, ndërsa ata kishin shkruar 370 euro. Menjëherë reaguam të gjithë. Nuk kam ndonjë deklaratë zyrtare për këtë ndryshim prej 5 eurosh. Ne pritëm pagesën e muajit tetor dhe na u pagua shuma prej 435 eurosh, ndërsa këto 5 euro vetëm sa i kaluan nga ajo që merrnim më parë, 375 euro, dhe nuk u përfshinë në rritjen prej 20%. Nuk e dimë arsyen për këtë, sepse siç thashë, nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare. Shuma e rritjes prej 60 eurosh është shumë e vogël duke marrë parasysh rritjen e çmimeve çdo ditë”, ka thënë Rahmani.