Prizreni përmes DokuFestit i është bashkuar nismës globale për shfaqjen e filmave palestinezë më 2 nëntor 2024, datë kjo që përkon me përvjetorin e Deklaratës së Balfourit.
Në DokuKino, të shtunën mbrëma, do të shfaqet filmi “Resistance, Why” i regjisorit Christian Ghazi, dhe hyrja do të jetë falas.
Veton Nurkollari nga DokuFest ka theksuar se në këtë datë do të ketë shfaqje të filmave palestinezë kudo në botë, përfshirë Prizrenin.
“Iniciativa është nga Palestine Cinema Days, dhe buron nga festivali i cili mbahet në disa qytete të Palestinës, por që është anuluar vitin e kaluar dhe sivjet. Pra, është iniciativë e festivalit për ta zhvendos festivalin, meqë shkaku i situatës nuk mund të mbahet në pesë qytetet e Palestinës, përfshirë Gazën dhe ideja është që të mbahet nëpër vende të ndryshme të botës”, ka thënë Nurkollari për Telegrafin.
Ai ka theksuar se DokuFest ka përzgjedhur një film të veçantë, respektivisht “Resistance, Why” të regjisorit Christian Ghazi, meqë ofron një “përshkrim të historikut të rezistencës së popullit palestinez nëpërmjet disa intelektualëve të njohur palestinezë”.
“Filmi është i rrallë. Së fundmi është restauruar dhe është shfaqur shumë pak. Mendoj që është një moment interesant për ta parë filmin”, ka deklaruar Nurkollari.
Sipas tij, data 2 nëntor për shfaqjen e filmave palestinezë nuk është e rastësishme.
“Kjo datë përkon me përvjetorin e Deklaratës së Balfourit, me të cilën është iniciuar shpallja e shtetit të Izraelit dhe organizatorët e kanë zgjedh me qëllim për ta zgjuar interesimin dhe për ta përçuar mesazhin”, është shprehur Nurkollari.
Në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje audiencës që të jetë pjesë e projeksionit në DokuKino.
“Shpresoj që publiku të shpreh interesim për ta parë filmin ‘Resistance, Why’, sepse është mjaft i rrallë, i cili është restauruar së fundmi, dhe shpresoj që hedh më shumë dritë në gjithë këtë katrahurë dhe gjenocid që po ndodh në Gazë, pastaj në Liban dhe tash si duket edhe në Iran”, ka thënë Nurkollari.
Sipas iniciatorëve të këtij aktiviteti, në përvjetorin e Deklaratës së Balfourit, në vende të ndryshme të botës do të realizohen rreth 250 shfaqje të filmave palestinezë, duke i dhënë jehonë zërave palestinezë, raporton Telegrafi.
Deklarata e Balfour ishte një deklaratë publike e lëshuar nga qeveria britanike në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore, duke shpallur mbështetjen për krijimin e një “shtëpie kombëtare për popullin hebre”, dhe konsiderohet se trasoi rrugën drejt krijimit të shtetit të Izraelit disa dekada më pas. /Telegrafi/