Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të premten në Kanada është takuar me homologen e saj kanadeze, Melanie Joly.
Në njoftimin e Ministrisë thuhet se Gërvalla ka theksuar rëndësinë e veçantë të integrimit të Kosovës në NATO për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, ajo ka vlerësuar lart angazhimin e Kanadasë në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe sigurimin e mbështetjes së Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Në margjinat e Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, u takua me Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, znj. Mélanie Joly. Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Kanadasë për Kosovën dhe ndërtimin e partneritetit të fuqishëm ndërshtetëror.
Përgjatë takimit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit në kuadër të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ministrja Gërvalla vlerësoi lart angazhimin e Kanadasë në mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe sigurimin e mbështetjes së Kosovës në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Gërvalla theksoi se integrimi i Kosovës në NATO është i një rëndësie të veçantë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim./teve1.info/