Katër persona janë aktualisht në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut duke u intervistuar nga ana e hetuesve lidhur me zhvillimet e fundit në Lagjen e Boshnjakëve.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.
Elshani tutje shtoi se katër personat janë duke u intervistuar lidhur me dyshimin për dëmtim kriminal, në rastin e dy veturave që u janë shpërthyer gomat.
“Ka pasur një stikers që është vendosur fillimisht në një përmendore aty afër. Një masë e njerëzve (prej rreth 10 personave) është mbledhur dhe kemi dy vetura që u janë shpërthyer gomat me mjete të mprehta, nga një gomë në secilën veturë, dhe tash Policia po e heton këtë rast” – tha Elshani.
Disa qytetarë u mblodhën sonte, më 31.10.2024, afër pllakës përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.
Ata u mblodhën në shenjë revolte ndaj vendosjes së parullave në serbisht me mbishkrimin “Mos u frikëso! Qyteti yt” edhe në pllakën e dëshmorit Avni Hajredini.
Djali i dëshmorit Avni Hajredini, Donik Hajredini, në një prononcim për KALLXO.com tha se qytetarët shqiptarë i larguan posterët nga pllaka përkujtimore.
“Qytetarët kanë kalu kësajde, disa qytetarë e kanë largu posterin, i cili ka qenë i vendosur mbi emblemë të Policisë së Kosovës. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo, i kanë gjujtë polikolor, e kanë thy me çekiq”- tha ai.