Një 38-vjeçar bullgar dhe rezident në Angli u vu në pranga nga shërbimet e policisë kufitare të Morinës.
Kjo pasi gjatë kontrollit në automjet iu gjet e fshehur një sasi kokaine dhe cannabis sativa. Policia ka sekuestruar lëndën narkotike, raporton A2CNN.
Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Policia e Shtetit Shqiptar.
“Shërbimet e policisë kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin bullgar I. G. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e policisë gjetën të fshehura dhe sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për hetimin e krimeve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin bullgar I. G., 38 vjeç, rezident në Angli”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/