Gjermania planifikon të punësojë më shumë punëtorë të kualifikuar nga India për të plotësuar vendet e lira të punës, tha në Berlin ministri gjerman i Punës Hubertus Heil. Ardhja e indianëve në Gjermani do të lehtësohet nga më shumë se 30 masa për të reduktuar pengesat burokratike për dhënien e vizave. Strategjia e Heil tregon se mungesa e punëtorëve të kualifikuar po ngadalëson rritjen dhe përparimin në Gjermani dhe se efektet e një popullsie në plakje do të përkeqësohen pa emigracion.
“Në Indi, situata është e kundërta. Atje, grupmoshat me arsim të lartë përballen me një treg pune me kapacitete të kufizuara për t’i absorbuar ato”, thuhet në strategji.
“Ne e shohim Indinë si një partner veçanërisht të rëndësishëm” “Në Indi çdo muaj një milion njerëz të rinj hyjnë në tregun e punës,” tha ministri gjerman. Ai shtoi se qeveria indiane promovon migrimin. “Për këtë arsye, Gjermania e sheh Indinë si një partner veçanërisht të rëndësishëm kur bëhet fjalë për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar,” tha ai. Ai theksoi se Gjermania deri në fund të vitit do të dixhitalizojë dhënien e vizave për Indinë dhe më vonë për vendet e tjera. “Gjuha gjermane do të promovohet më fuqishëm dhe indianët tashmë në Gjermani duhet të integrohen më mirë, për shembull duke u dhënë atyre ndihmë për të gjetur një punë,” tha ai.