Ditë historike për Shqipërinë.
Sot më 15 tetor 2024, shteti shqiptar do të hap kapitujt e parë për anëtarësim në familjen evropiane.
Për këtë shkak në Luksemburg ndodhet kryeministri Edi Rama.
Ai gjendet aty bashkë edhe me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren Majlinda Dhuka, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.
Siç njofton TopChannel, zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për Grupkapitullin e parë, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga zyra e Kryeministrisë.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike:
Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në prill të vitit 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidati në qershor 2014 ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare është mbajtur në korrik të vitit 2022.
Në këtë proces Shqipëria u nis së bashku me Maqedoninë e Veriut, e cila mbahej peng nga mosmarrëveshjet me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit.
Pas zgjidhjes së këtij problemi, Maqedonisë së Veriut i lindi një tjetër problem me Bullgarinë, dhe nuk mund të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.