14 tetori i bëri bashkë ish-shokët e klasës.
Nga këtu dy dekada më parë morën rrugën për në Shqipëri.
Por, kthimi nga ekskursioni doli të jetë tragjik për 15 shokët e tyre.
Kjo pasi në mesditën e 14 tetorit të vitit 2004, autobusi me nxënësit e gjimnazit “Avdyl Frashëri” të Malishevës, ra në humnerë pas një aksidenti.
E gjithë ngjarja ndodhi në Fushë Arrëz të Pukës në ora 14:00.
Ani pse kanë kaluar dy dekada, përjetimet e asaj ditë të rëndë i kanë të freskëta ata që i mbijetuan tragjedisë.
“Në momentin e aksidentit, pjesa më e madhe e nxënësve ka qenë fjetur, unë jam ndër ata që kam qenë zgjuar dhe kam qenë prapa shoferit të autobusit, e kam parë rastin të gjithin…Vetura që erdhi e goditi autobusin e parë dhe u drejtua në drejtimin tonë dhe në atë moment, prej përplasjes së madhe, shoferin e ka tërhequr nga karriga e tij dhe e ka qit në anën tjetër dhe unë kam dalë në mesin e autobusit dhe pastaj prej nxënësve kam marrë lëndime dhe nuk di gjë deri sa jam zgjuar në spitalin ushtarak të Tiranës”, tha Bajram Thaçi – i mbijetuar i aksidentit.
Në këtë autobus ishte edhe Ardit Kryeziu.
“Veç kemi dëgjuar britma të nxënësve që ishin autobus, sepse u rrokullis autobusi dhe pas një periudhe që u kthye vetëdija ime, e kam parë autobusin komplet të shkatërruar dhe shokët e shoqet komplet të shpërndarë përreth autobusit, të lënduar secili prej tyre”, tregon ai.
Edhe pse nuk mund ta shpjegojnë se si, tragjedinë thonë se e kishin parandje.
“Çdoherë na pyeste kur mbërrinin në hotel se si keni kaluar? Unë i thosha shumë mirë, por hala nuk kemi pësuar aksident”, u shpreh Kryeziu.
E ora 14:00, tek “Lëndina e Lotëve” në Malishevë, mblodhi edhe një herë familjarët.
Dhimbja është e madhe, edhe pas dy dekadave.
Nga një lule për secilin varr, kishin familjarët.
“Unë nuk kam qenë në shtëpi, kam qenë në Slloveni atje kam punuar 4 vjet. Vëllai i tij i madh është marrë më të, ia ka rregullua letrat për me shku, unë veç kur e kam kuptuar në televizor, në një televizion të Shqipërisë që djali ka ndërruar jetë, vet i 15-ti”, tha Hysen Rrahmanaj – prindi i Ajet Rrahmanajt.
Për t’u dhënë forcë atyre, tek varrezat erdhën edhe zyrtarët komunal.
Para familjarëve, foli edhe drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Arbëresha Krasniqi.
Kjo e fundit ishte në mesin e të mbijetuarve të aksidentit.
Për këtë, familjarëve iu drejtua me një lutje.
“Udhëtimi kah u kthyem, e përmbysi gjithë atë lumturi që e shijuam në ato pesë ditë sa ishim në Shqipëri dhe unë kam një lutje, që të gjithë të bëhemi të fortë e të jetojmë me kujtimet më të mira e më të ëmbla të familjarëve tonë, e në këtë rast të shokëve të mi”, Arbëresha Krasniqi – Drejtoreshe e Arsimit në Malishevë.
Ndryshe, 34 nxënësit e lënduar nga ky aksident u transportuan me urgjencë në Spitalin e Pukës e më pas edhe në atë Ushtarak të Tiranës./teve1/