Një sulm izraelit mbi një shkollë, të përdorur për strehimin e palestinezëve të zhvendosur, ka lënë të vdekur 15 persona në Gazën qendrore, kanë thënë zyrtarët vendas, raporton BBC.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga “Hamasi” ka njoftuar se shkolla në kampin Nuseirat është qëlluar prej artilerisë izraelite më 13.10.2024, duke lënë të vdekur familje të tëra dhe duke plagosur dhjetëra persona.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se po i analizon raportet e mediave për pasojat e sulmit. Më herët gjatë të dielës, 13.10.2024, ishte raportuar për pesë fëmijë të vrarë prej një sulmi me dron derisa ata po luanin në një kënd rruge në Gazën veriore.
Një zëdhënës i Mbrojtjes Civile ka thënë se sulmi në shkollën “Al-Mufti”, ku po qëndronin qindra persona të zhvendosur nga rrethina e Gazës, ka plagosur pesëdhjetë persona dhe shumë të tjerë janë vrarë.
Arena kryesore e konfliktit së fundmi është zhvendosur në veri të Gazës, ku forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet javën e fundit në kuadër të një operacioni tokësor. Autoritetet kanë thënë se janë vrarë qindra persona, kryesisht civilë.
Ndërkohë Izraeli ka konfirmuar se katër ushtarë izraelitë janë vrarë si pasojë e një sulmi me dron nga “Hezbollahu” libanez mbrëmjen e 13.10.2024. Sulmi kishte për cak një bazë ushtarake izraelite në jug të qytetit Haifa, ku janë plagosur më shumë se 50 ushtarë të tjerë. Ishte sulmi më vdekjeprurës për ushtrinë izraelite prej nisjes së sulmeve së sulmeve kundër “Hezbollahut” në Libanin jugor në muajin shtator 2024.
Njëherësh, misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban ka bërë të ditur se tanket izraelite kanë detyruar trupat ndërkombëtare që të tërhiqen në pozicionet e tyre, megjithëse Izraeli konteston pretendimet e OKB-së në Libanin jugor.