Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, me temën: “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor.”
Zyra e Kryeministrit njofton se në fjalën hyrëse, Kurti tha se paqja në rajonin tonë, e sidomos në Kosovë, është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë, sepse është dashur të luftohet e të përpiqemi vazhdimisht për të.
Kryeministri Kurti trajtoi tranzicionin demografik, ku tha se valët e emigrimit si dhe qëndrimi i popullsisë në një vend të vetëm nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit të 20-të, madje as nga fillimi i shekullit të ri, bëhet e ditur tutje në komunikatë.
“Nga viti 2011 deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë prej 8 për qind. Në të njëjtën kohë, ka diku rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet se jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit, ndërkohë që nuk janë të përfshirë në shifrat e përgjithshme të popullsisë”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo tregon se realiteti me të cilin përballemi ofron më shumë fleksibilitet sesa që kishim më parë.
E duke folur për të arriturat, sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha se Kosova ka njohur përparim e progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit. “Rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2%, ekonomia e vendit përkatësisht Bruto Produkti Vendor sot që po flasim është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000”.
Kryeministri theksoi se ka një rritje të punësimit prej mbi 21% nga 350 mijë vende të punës sa ishin në Kosovë në sektorin publik dhe atë privat në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë vende pune tash që po flasim, përfshirë këtu veçanërisht dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar dhe mbështetjen direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave.
“Kësisoj, ne po përpiqemi që jo vetëm ta bëjmë Kosovën tonë të dashur vend në të cilën qëndrojnë rinia, por edhe që kthehen bashkatdhetarët.”, shkruan tutje në komunikatë.
Në fund të njoftimit bëhet e ditur se kryeministri Kurti, fjalën e tij e përfundoi duke theksuar se kombinimi i rritjes ekonomike e demokratike, i stabilitetit institucional e politik, afrimit të integrimit me shtetet perëndimore evropiane dhe inovacionit qeveritar që lejon krijimin e një realiteti të ri, ku kostoja e mundësisë nuk është dramatike në mes të jetës këtu ose atje në shtetet më të zhvilluara të botës, është edhe zgjidhja andaj edhe synimi ynë./TVPrizreni/