Një 15- vjeçare dyshohet se është dhunuar në Suharekë.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, në Polici është raportuar se e mitura 15-vjeçare ishte larguar nga shtëpia e saj më 26.09.2024 në ora 20:00 dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen më 27.09.2024 në ora 16:00.
Lidhur me rastin, Policia, më 28.09.2024, kishte njoftuar se është arrestuar një i dyshuar, i moshës 20 vjeç dhe ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i dytë, i moshës 16 vjeç, ishte ende në kërkim.
Ndërkaq, sot më 03.10.2024, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe të dyshuarin e mitur, të mërkurën, më 02.10.2024, pas mesnate në stacionin e autobusëve në Suharekë.
Sipas Policisë, i arrestuari pasi është dërguar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren, është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës.
“Me urdhër te prokurorit kujdestar të dyshuarit, i’u është caktuar masa e ndalimit për 24 orë. Rasti vazhdon te hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren”- ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.
Lidhur me rastin, Bytyqi më 28.09.2024 kishte deklaruar se nga viktima është kuptuar se gjatë natës ajo është shoqëruar me dy persona, një 20-vjeçar dhe një 16-vjeçar. Gjithashtu viktima kishte pranuar se me personin e parë, të dyshuarin e moshës 20 vjeç, ka pasur marrëdhënie intime.