Shqipëria dhe Serbia pritet të organizojnë bashkë Kampionatin Evropian të futbollit për grupmoshën U21 në vitin 2027.
Siç ka konfirmuar UEFA të enjten, kandidatura e dy shteteve është e vetmja që ka qenë brenda afateve, ka shkruar Associated Press. Këtë javë ishte afati i fundit për të paraqitur planin e detajuar të Evropianit. Dhe afatit i janë përmbajtur vetëm Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Serbisë.
Belgjika dhe Turqia kishin shprehur interesim në të kaluarën, por nuk kanë respektuar afatin, sipas asaj që tha Konfederata Evropiane e Futbollit.
Vendimi do të merret më 16 dhjetor në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Federata Shqiptare dhe Federata e Futbollit e Serbisë ishin bashkuar në maj për organizimin e turneut me 16 ekipe përfaqësuese të futbollistëve deri në 21 vjet. Duhen tetë stadiume për 31 ndeshje.
Agjencia prestigjioze e lajmeve ka shkruar edhe për tensionet e së kaluarës në futboll mes dy kombëtareve dhe për “ndeshjen e dronit” më 2014. Po ashtu, ka shkruar për suspendimin e Mirlind Dakut në “Euro 2024”, pasi përmes megafonit kishte fyer serbët.
I pari që foli për këtë projekt shumë të kritikuar në Kosovë ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai kishte thënë në maj se “është një projekt 100 për qind i futbollit dhe përmes të cilit mund të përcillet një mesazh shumë i mirë politik”.
Duka ka folur shpeshherë për këtë iniciativë, duke e mbrojtur atë. Është arsyetuar se Kosova nuk ka stadiume të gatshme, prandaj është vendosur për bashkëpunim me Serbinë.
Por arsyetimet e Dukës nuk kanë zbutur kundërshtimin në Kosovë, por edhe te një pjesë e opinionit në Shqipëri, për një organizim të përbashkët me Serbinë.
Kundërshtimet pritet të jenë të mëdha edhe në muajt, por edhe në vitet e ardhshme.
Nga FSHF-ja nuk ka pasur ndonjë qëndrim së fundi, përkatësisht pas publikimit të shkrimit nga AP.
Në Federatën e Futbollit të Serbisë më pak kanë folur për Evropianin e përbashkët me Shqipërinë.
Duka për këtë organizim ka folur shumë herë.
“Ne patëm disa reagime negative nga tifozët, kryesisht, dhe disa grupe të interesit. Por jo nga Qeveria shqiptare”, ka thënë Duka për AP.
Sipas AP-së, UEFA e drejtuar nga slloveni Aleksander Çeferin, ka treguar përkrahje të madhe për Serbinë e Shqipërinë. Duka është nënpresident i UEFA-s.
Kongresi i ardhshëm i UEFA-s do të mbahet në Beograd, ndërsa një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është caktuar për në Tiranë në vitin 2025.
Por Evropiani i përbashkët është iniciativë për të cilën assesi nuk do të pajtohen shqiptarët në Kosovë dhe besohet edhe një pjesë e mirë e shqiptarëve në Shqipëri.