Në Kosovë gjatë pesë ditëve të ardhshme do të mbajë mot kryesisht i nxehtë me pak ndryshime, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Të hënën moti do të jetë me diell e vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 3-5 gradë Celsius, e maksimalet mes 19-24 gradë.
Mot i ngjashëm do të mbajë edhe të martën, ndërsa vende-vende do të ketë riga shiu të intensitetit të dobët. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 5-9 gradë Celsius, e maksimalet do të arrijnë deri 24 gradë.
Të mërkurën moti do të jetë i vranët dhe me intervale të shkurtra me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin riga shiu me mundësi edhe për shkarkime rrufesh.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë Celsius”, thuhet nga IHMK.
Të enjten do të jetë moti me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa temperaturat do të jenë të ngjashme si ditën e mërkurë, ndërsa të premten do të ketë mot me diell e vranësira të pakta. Temperaturat do të lëvizin mes 7-12 gradë Celsius, e maksimalet mes 20-25 gradë.
“Kushtet agrometeorologjike vazhdojnë të mbeten të mira për shkak të reshjeve të mjaftueshme të shiut që u regjistruan në ditët e fundit dhe këto kushte të mira meteorologjike e favorizojnë bujkun që mbjelljet e kulturave bujqësore në muajin e ardhshëm t’i kryejnë me sukses”, thuhet nga IHMK./KOHA/