Të mërkurën, më 25 shtator, në orën 09:30, do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në këtë sulm, më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh të udhëhequr nga Milan Radojçiq vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Seanca fillestare për çështje penale të sulmit terrorist në Banjskë do të mbahet më 25 shtator, 2024”, ka konfirmuar për RTK-në, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Për rastin e Banjskës të akuzuar janë 45 persona, por deri tani në masë të paraburgimit janë vetëm Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq./RTK/