OJQ “EC Ma Ndryshe” ka reaguar rreth parkimit të automjeteve zyrtare në afërsi të minares së xhamisë së Arastës në qendër të qytetit, e cila sipas tyre është bërë shprehi për zyrtarët e komunës së Prizrenit.
“EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se në një interval kohor prej disa javësh ka vëzhguar këtë hapësirë dhe ka vërejtur se hapësira pranë monumentit të trashëgimisë kulturore përdoret shpesh si parking për automjetet zyrtare.
“EC Ma Ndryshe përkujton se dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit kufizojnë aktivitetet që pengojnë vizurat dhe qasjen e lirë në monument, gjithnjë me qëllim të mbrojtjes së autencititetit dhe integritetit të kësaj zone të mbrojtur. Për më shumë, minarja e Xhamisë së Arastës është pjesë integrale e “Shtegut historik”, projekt në kuadër të cilit është vendosur kalldrëmi e mobileria urbane që krijojnë lidhjen midis disa monumenteve në Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në reagim.
Tutje, “EC Ma Ndryshe” u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të Prizrenit që ta respektojnë integritetin e minares së xhamisë së Arastës, e cila është monument i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, si dhe kanë kërkuar që të angazhohen për krijimin e vendparkingjeve adekuate në qytetin e Prizrenit.