Me rastin e 25-vjetorit të operimit në Kosovë të Institutit Kombëtar të Demokratik (NDI), ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se pozicioni i SHBA-së nuk ka ndryshuar, është i palëkundur dhe nuk do të ndryshojë.
Hovenier tha se institucionet e shtetit të Kosovës janë krejtësisht legjitime dhe SHBA është krenare që ka ndihmuar në krijimin dhe konsolidimin e tyre.
“Do doja të marrë disa minuta për të rikujtuar pozicionin e Qeverisë së SHBA-së për Kosovën. Po e bëj këtë sepse mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos ketë keqkuptime apo keqprezentim të pozicionit të SHBA-së. Më 2008, SHBA e njohu Kosovën si shtet sovran të pavarur dhe sovran. Ne e bëmë këtë gjë bazuar në zotimet e qarta të lidershipit të atëhershëm që ata do të implementojnë plotësisht zotimet e bëra në Planin e Ahtiasarit për të ndërtuar një shtet demokratik, multietnik dhe gjithëpërfshirës. Qëndrimi i SHBA-së është i pandryshuar, është i qartë dhe s’do të ndryshojë”, ka thënë Hovenier, raporton RTK.
“Ne nuk e pranojmë si të vërtetë asnjë përpjekje që vë në pikëpyetje statusin e Kosovës apo institucioneve të tij. Më lejoni të jem i qartë: Kushtetuta e Kosovës është legjitime dhe jemi krenarë për rolin tonë në mbështetje të popullit të Kosovës teksa e zhvilluan atë. Më lejoni të jem i qartë: Institucionet e shtetit të Kosovës janë krejtësisht legjitime dhe jemi krenarë që kemi ndihmuar në krijimin dhe konsolidimin e atyre institucioneve, përfshirë edhe asistencën nga NDI dhe partnerët tjerë”, deklaroi Hovenier.
Ai tutje foli edhe për premtimin që Qeveria e Kosovës ia kishte dhënë SHBA-së para shpalljes së pavarësisë.
“Dua të ritheksoj edhe një pikë kyçe: premtimi i Kosovës është si shtet i pavarur, sovran e multietnik, me mbrojtje të veçantë për të drejtat e pakicave. Dhe jemi krenarë me rolin që kemi luajtur për të ndihmuar partnerët e Kosovës për të avancuar këtë vizion. Dhe vazhdojmë përpjekjet tona për të punuar me qeverinë aktuale në kërkim të bashkëpunimit më të afërt për të parë se ky vizion është realizuar. Vizioni ynë mendoj se është shumë i qartë: Kosova gëzon një shoqëri në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë në kushte të dinjitetshme dhe të sigurta, përfshirë edhe ato nga komunitetet pakicë”, ka thënë ambasadori amerikan.