Rreth dy orë para konferencës së paralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën pritet që ai t’i prezantojë ato që i ka quajtur kërkesa të Serbisë “për shkak të sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar se Serbia, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatisin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se pavarësisht dëshmive të gjenocidit në Kosovë, kjo nuk po e pengon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të kërcënuar sërish.
“Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës. 25 vjet pas gjenocidit në Kosovë, me 186 masakra, rreth 500 varreza masive në Kosovë, 5 varreza masive në Serbi, ku mbetën të vrarë mbi 13 mijë njerëz (1392 fëmijë; 1739 gra; 1882 të moshuar), rreth 20 mijë gra e vajza të dhunuara dhe keqtrajtuara, dhjetëra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 860 mijë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra të tjerë që nga malet shihnin qysh po ju plaçkiten e digjen shtëpitë (gjithsej 119,855 sosh), dhe ende 1595 persona të zhdukur me dhunë, qindra familje që jetojnë me ankth e dhembje, ndërsa i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës”, shkruan Kurti.
Kurti ka thënë tutje se Serbia fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. Sipas kryeministrit, Serbia ka zgjedhur anën e kundërt të kërkimfaljes, duke përsëritur kërcënimet e ultimatumet. Ai ka shtuar se të gjitha këto Serbia po i kryen në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë.
“Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit. Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar në fund se Kosova nuk trembet nga kërcënimet.
“Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta”, është shprehur në fund kryeministri./TVPrizreni/