Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi ka deklaruar se për tri vjet e gjysmë të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, atyre nuk u është ofruar asgjë dhe se janë lënë në gjendje të mjerueshme.
Sipas tij qeveria aktuale është shembulli më i keq i kujdesit ndaj të moshuarve.
“Ajo që ka ofruar Qeveria, do të thotë është një periudhë katërvjeçare që nuk ka ndërmarrë asgjë për çështjen e pensioneve, gjë që në aspektin ligjor e ka pasur obligim çdo vit me bë vlerësimin e kostos së inflacionet dhe në bazë të kostos jetësore me i ngrit pensionet, por një gjë të tillë nuk e ka bërë. Pensionistët momentalisht janë në gjendje të mjerueshme”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se pensioni prej 100 eurosh është i pamjaftueshëm për jetesën në Kosovë, ndërkohë që shtesat që u janë dhënë ka thënë se nuk paraqesin asgjë.
“Ato janë si lloj dhurate për babadimrit, ato nuk paraqesin asgjë, ajo duhet të rregullohet në bazë ligjore dhe me vendim të Kuvendit dhe t’i ngritin pensionet sepse ajo nuk është asgjë. Nuk ka mundësi po e shihni se inflacioni na shkuar deri në 200 për qind dhe nëse diçka kemi blerë para tre vitesh me një euro sot e blen me tre euro dhe nuk ka shans dhe nuk ka mundësi, por falë solidaritetit mes gjeneratave që e bëjnë në baza tradicionale sepse përndryshe kishin me vdekur njerëzit rrugëve”, ka theksuar Gashi në një intervistë për EO.
Sipas Gashit pensioni ideal për pensionistët me përgatitje të mesme shkollore duhet të jetë 400-450 euro, kurse për ata me fakultet 500-600 euro.