Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren përmes një komunikate për media ka shprehur pakënaqësit e saj në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025 për komunën e Prizrenit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm, jozhvillimor dhe kriminal.
Sipas tyre, ky draftbuxhet nuk është gjithëpërfshirës pasi përjashton shumë lokalitete dhe kategori të komunës, nuk është i bazuar në kërkesat aktuale konkrete të qytetarëve dhe ka shumë projekte të gjeneralizuara, duke lënë hapësira për shkelje ligjore dhe duke favorizuar vetëm mbështetësit politikë.
Po ashtu, në komunikatën e tyre theksohet se miratimi i një draftbuxheti të tillë nuk i ofron komunës zhvillim ekonomik, nuk prek shumë lokalitete e kategori të shoqërisë dhe lë hapësira për keqpërdorim të parasë publike.