Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka quajtur “të çuditshme dhe të pakuptimta” lavdërimet e kryeministrit Albin Kurti për KEK-un dhe sukseset e kësaj ndërmarrjeje, pasi sipas tij, KEK-u s’ka përfituar asgjë.
Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se Kurti duhet të tregojë se sa milionë euro ka importuar Kosova për energji nën qeverisjen e tij, duke u shprehur se Kosovës “i mbetet të lutet që edhe ky dimër të jetë i butë”.
“Është e sigurt se ai nuk do të tregojë për shumat, e edhe shitësit e rrymës do të përpiqet t’i fshehë, por ai duhet të dijë që pushtetet nuk janë të përjetshme. Refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarin, aty do të jenë. Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg. Ndryshe, keq do të jetë për gjithë vendin”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka përmendur edhe projektin e gazit amerikan dhe projektin Kosova C.
“Përveç 21 milionë euro dëmshpërblim që ka paguar, po të ishte burrë Albin Kurti, ai do të tregonte sa qindra miliona euro ka importuar që nga koha kur është Kryeministër, me çfarë çmimi dhe nga kush. Kurti, këtë ua ke borxh njerëzve të këtij vendi. Është e sigurt se ai nuk do të tregojë për shumat, e edhe shitësit e rrymës do të përpiqet t’i fshehë, por ai duhet të dijë që pushtetet nuk janë të përjetshme. Refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarin, aty do të jenë”, ka shtuar ai.
Kurti ka shkruar të martën se Korporata Energjetike e Kosovës po forcohet përditë, duke bërë me dije se janë shtuar 149 punëtorë të rinj.
“KEK-u vijon të forcohet çdo ditë. Ajo e gëzon vëmendjen dhe përkrahjen e shtetit. Radhëve të saj, iu shtuan nga sot edhe 149 punëtorë të rinj. Publikja është e jona, e të gjithëve dhe secili mund të kontribuojë për ta mirëmbajtur e zhvilluar atë. Me profesionistët e duhur nga fushat përkatëse, me mbështetjen dhe dhënien e mundësive e hapësirës veçanërisht për sa më shumë të rinj e të reja, e ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen e sferave institucionale të shtetit tonë”, ka thënë Kurti.