Qysh në fëmijëri kishte shfaqur guxim dhe pasion për sportin burrëror të mundjes. Nuk kishte rival mes bashkëmoshatarëve deri sa në Lezin piktoresk kishte filluar jetën e tij në vegjëli, gjatë lojërave të ndryshme që bënin mes vete.
Shahadin Berisha, rritej në frymën e një djaloshi sypatrembur karshi çdo sfide që i ofrohej, pasi kushtet e jetës nuk ishin aspak të lehta. Përkundër vështirësive, ai në shumë gara të mundjes që zhvilloheshin në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ishte pjesëmarrës aktiv duke arritur suksese të jashtëzakonshme.
Duke e parë situatën e vështirë nëpër të cilen po kalonte populli ynë nga respresioni i egër serb, ai gjithmonte ndjehej i shqetësuar për të ardhmen tonë, duke biseduar shpesh me familjarë e miq të tij, se liria është e shtrenjtë dhe duhet sakrifikuar çdo gjë për të arritur tek ajo.
Pas daljes në skenë të UÇK-së, dhe fillimit të organizimit në zonën e Vërrinit, ai ishte ndër të parët që u bë krah heronjve të Kosovës, Xhevat e Selajdin Berisha, të cilët në vendlindjen e tyre u priten krahëhapur nga të gjithë lezjanërt për t’u rreshtuar në radhët e krenarisë sonë kombëtare UÇK-së. Prej momentit që veshi uniformën e ushtarit të lirisë, kontributi i tij në luftë ishte i pashoq deri në momentin e fundit të jetës me 1 shtator të vitit 1998.
Në betejën e fundit që pati në jetë, ra në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë, një zemërluan i cili deri në fishekun e fundit në armën e tij, bashkë më shokët tjerë, komandantët Xhevatin e Selajdinin, mësuesin Hasim, bashkëvendasit e nderuar Nehatin e Shefqetin dhe trimat si Bekim, Alajdin e Naip Berisha, Ibrahim Osmanajn e Samidin Eminin, dhe të respektuarit Asllan e Izair Berisha, nuk lejoi që çizmja serbe të shkel në Lezin legjendar. Trimat si Shahadini i cili u flijua në lule të rinisë ende pa i mbushur 20 vite, janë dëshmi e një luftëtari të pavdekshëm për lirinë e atdheut të tij.