Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar t’iu caktohet masa e paraburgimit të pandehurve Ç.S, D.S. dhe F.B., me dyshimin se kanë kryer veprën “lëndim i lehtë trupor”, ndërsa të dyshuarit – zyrtar policor I.S., për veprën penale “kanosje”.
Tre të dyshuarit e parë thuhet se kanë lënduar të dëmtuarin S.B. më 31 gusht në Prizren, në parkingun e një qendre tregtare.
Fillimisht konflikti kishte nisur verbalisht, e më pas i pandehuri Ç.S. e kishte goditur të dëmtuarin në kokë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.
Ndërsa, të pandehurit Ç.S. dhe D.S., në prani të zyrtarëve policorë e kishin kërkuar të dëmtuarin me fjalët “s’ka me të nxan nata, kemi me të vra”.
Prokuroria Themelore bëri të ditur se zyrtari policor, I.S., ishte interesuar në stacionin policor për djemtë që janë përfshirë në sulm, e pastaj e kishte kërcënuar të dëmtuarin S.B. se do ta privonte nga jeta.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka arrestuar të shtunën një zyrtar policor në Prizren me dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.
IPK-ja në komunikatë ka thënë se informatat e para lidhur me rastin i ka pranuar pas orës 17:00 të shtunën nga Policia e Kosovës e rajonit të Prizrenit.
“Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore. Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘kanosje’. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet nga IPK-ja./KOHA/