Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore të DRP-së, gjatë periudhës kohore 19 gusht deri më 25 gusht 2024, në vazhdën e implementimit të planit operativ “Rrethi 2024”, kanë realizuar aktivitete në zonën e përgjegjësisë që mbulon katër komuna në rajonin e Prizrenit.
Gjatë kësaj periudhe bëhet e ditur se janë shqiptuar 2139 gjoba për kundërvajtësit të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat e komunikacionit rrugor.
Po ashtu në kuadër të këtij plani, realizimi i urdhëresave të Gjykatave Themelore, në periudhën kohore 19.08.2024 deri më 23.08.2024, thuhet se ka realizuar 60 urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në vazhdimësi do të shtojë numrin e aktiviteteve policore në terren me qëllim të parandalimit të dukurive negative, për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në rajonin e Prizrenit.”, thuhet në fund të njoftimit të DRP-së në Prizren./TVPrizreni/