Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë koalicion nga partitë politike.
Ai për EO ka thënë se partitë politike kanë afat deri të premten që t’i deklarojnë në KQZ koalicionet parazgjedhore.
“Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet në shkurt të viti 2025 përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike si duna të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyre. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 gusht pra deri ne këtë kohë të gjitha partitë politike duhet të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrin pjesë përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.
Ai ka thënë se afati i fundit është më 30 gusht.
“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër, pra të partive të tjera apo edhe si parti e veçanta në procesin zgjedhor. Deri në këto momente që flasim në KQZ nuk kemi pranuar ndonjë njoftim nga ana e partive politike se do të kërkojnë certifikim në zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për të bërë këtë deklarimi është data 30 gusht”, ka thënë ai.
Kujtojmë se data e zgjedhjeve tashmë është caktuar dhe se ato pritet të mbahen më 9 shkurt 2025./GazetaSinjali/