Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kurti përmes një videomesazhi të dielën, ka kërkuar nga qytetarët në diasporë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
Sipas tij, procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia e tyre për të forcuar lidhjen me atdheun.
“Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024. E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun. Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush!”, ka thënë Kurti ndër të tjera./KOHA/