Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur qytetarë ukrainas të cilët veprojnë e jetojnë në Kosovë në Ballkonin e Hapur.
Kurti ka shkruar se Kosova është bërë një shtëpi e dytë për ta. Ai ka vlerësuar lartë qëndresën e ukrainasve, duke e cilësuar si të pashembullt dhe heroike.
“Me këtë rast shpreha vlerësimin e thellë dhe solidaritetin për punën e përpjekjet e tyre në një kohë kaq sfiduese. Sepse sot qëndresa e Ukrainës dhe qytetarëve të saj është e pashembullt dhe heroike. Ukraina është mburojë e demokracisë evropiane.”, shkruan Kurti.
Kryeministri ka bërë të ditur se Kosova do të vijojë mbështetjen e saj për luftën çlirimtare të Ukrainës.
“Republika e Kosovës do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare të Ukrainës për paqe, liri e demokraci, dhe përkrahëse e rezistencës e vendosmërisë së popullit ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit të tyre”, ka pohuar ai.
“Le të triumfojë lufta e drejtë për liri, kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit të pajustifikuar të Federatës Ruse. Gëzuar Ditën e Pavarësisë për Ukrainën dhe të gjithë qytetarët e saj!”, është shprehur në fund kryeministri Kurti./TVPrizreni/