Kryeministri, Albin Kurti, vizitoi ditën e sotme objektin qendror të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Prishtinë. Në këtë vizitë ai shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në qëndrimin atje, bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit se u bisedua mbi punën dhe sfidat e shërbimit korrektues, teksa në 11 burgjet e Kosovës ndodhen gjithsej 1734 të burgosur, prej tyre 1120 të dënuar. Tutje, thuhet se u theksua miratimi i ligjit për SHKK-në me të cilin janë themeluar njësi të reja, si ato për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, për inteligjencë, njësia Ekonomike dhe themelimi i Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, si dhe miratimi i planit zhvillimor strategjik për SHKK-në 2023-2027, përmes të cilit synohet përmbushja e vizionit të agjencisë, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, njoftohet se u fol edhe për programet rehabilituese dhe aftësimin profesional për të dënuarit dhe mundësitë e bashkëpunimit me organizata të ndryshme.
“Me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, me përkrahjen e Qeverisë është ndarë buxheti prej 8 milionë euro për ndërtimin e Qendrave të reja Korrektuese, e ato janë: Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan; Qendra e Paraburgimit në rajonin e Prizrenit me kapacitet prej 300 shtretër; dhe zgjerimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.”, thuhet në fund të komunikatës./TVPrizreni/