Gjykata Supreme në Shkup e ka shfuqizuar vendimin e Penales lidhur me lëndën për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani, i cili para rreth një jave u arratis nga arresti shtëpiak që i ishte caktuar në Maqedoninë e Veriut, pasi muajin e shkuar ishte arrestuar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Sipas vendimit të supremes lënda është kthyer në rivendosje në Penale.
“Këshilli Penal pranë sektorit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të Gjykatës Penale-Shkup, gjatë marrjes së vendimit, me të cilin ka konstatuar se nuk janë përmbushur parakushtet ligjore për ekstradim, nuk ka dhënë arsyetim se në cilat shkaqe është bazuar kur ka pranuar që vendimi i filluar në pajtim me nenin 75 alineja 1 nga Ligji i bashkëpunimit Ndërkombëtar në materialin penal, si procedurë e shkurtuar të udhëhiqet si procedurë e rregullt në pajtim me nenin 68 lidhur me nenin 51 nga ligji i njëjtë”, thuhet në në arsyetimin e Supremes, raporton Alsat.mk.
Sipas njoftimit veprimi dhe marrja e vendimit të tillë në Gjykatën e shkallës së parë, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme është i paqartë dhe i pakuptueshëm, pa arsye relevante nga të cilat këshilli është bazuar gjatë marrjes së vendimit.
“Gjatë veprimit të serishëm, gjykata e shkallës së parë është e obliguar që t’i marrë parasysh vërejtjet e theksuara, si dhe përcaktimet e Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në materialin penal dhe Konventën Evropiane për Ekstradim me Protokollin e parë dhe të dytë shtesë lidhur me Ligjin për ratifikimin e protokollit të tretë shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradim, dhe në bazë të tyre me zbatim të duhur të dispozitave të marrë vendim të drejtë dhe ligjor”, theksohet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme.
Për rastin e Ramadanit, një gjykatë maqedonase vendosi më 1 gusht që ai të mbahej në arrest shtëpiak në një adresë në Shkup, ku do të duhej të qëndronte deri më 16 gusht.
Autoritetet e Serbisë, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës (MPJD), e kanë akuzuar Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999. Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së. Ekstradimin e tij në Serbi e pati kërkuar Daçiqi gjatë një vizite në pikëkalimin kufitar të Tabanovcit më 25 korrik./KOHA/