Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se marrëveshja për objektivat zhvillimore me USAID-in, në vlerë prej 34,5 milionë dollarësh është edhe një rinkonfirmim i vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.
“Secila nismë dhe secili sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe forcimin e institucioneve tona demokratike e llogaridhënëse, ka po ashtu gjurmët e SHBA-së. E sot nuk është aspak ndryshe“, tha presidentja Osmani, në një deklarim për media bashkë me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Sipas presidentes, amandamenti i marrëveshjes për grantin për objektivat zhvillimore, në një vlerë shtesë prej 34,5 milionë dollarësh, i cili në total të marrëveshjes arrin 142,6 milionë dollarësh, do të mbështesë projekte që synojnë shërbime më të mira për qytetarët nga institucione llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes si dhe rritje të mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.
“Në këtë mënyrë ne nuk po ndërtojmë vetëm institucione më të forta e më të qëndrueshme, por edhe një shoqëri më të drejtë e më të barabartë për të gjithë. SHBA kanë qenë dhe mbeten një partner i përkushtuar dhe i palëkundur i popullit të Kosovës. Krahas mbështetjes financiare populli amerikan ndër vite ka treguar një partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha një partneritet të ndërtuar në besim të ndërsjellë. Besim në një Kosovë, që në çdo vendim të saj ka popullin e saj”, tha Osmani.
Ajo falënderoi ambasadorin Hovenier dhe përfaqësuesen e USAID-it, Mary Elieen Devitt, në emër të qytetarëve të Kosovës dhe u shprehu mirënjohjen e thellë për këtë angazhim të pandërprerë të institucioneve dhe popullit amerikan.
“Le ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku, duke forcuar edhe më tej lidhjet tona dhe bashkëpunimin tonë, e duke krijuar mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës. Këto nisma të përbashkëta janë deklarimi i fuqisë së bashkëpunimit tonë dhe një garanci për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Sa herë punojmë bashkë me SHBA-të qytetarët tanë dhe shteti përfiton”, nënvizoi Osmani./RTK/