Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është mbledhur për të vendosur rreth kufizimit të shpenzimeve gjatë fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit si dhe për të shqyrtuar planin e aktiviteteve zgjedhore.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra jo më pak se një (1) euro për votues të regjistruar.
“Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues”, tha Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, raporton RTKlive.
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, KQZ mori vendim edhe për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative të parashtruara kundër njoftimit për regjistrim të votueseve jashtë Kosovës. Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, çdo aplikues, të cilit i është refuzuar regjistrimi, ka të drejtë në kundërshtim administrativ ndaj njoftimit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./RTK/