Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj teksa ka folur për zgjedhjet e ardhshme tha se është momenti që ata që kanë qenë në qeveri të japin llogari.
Limaj tha se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i kthehet normalitetit, pasi sipas tij, në këto katër vite pati stagnim në të gjitha drejtimet.
“Diplomacia nuk ka arritur të sjellë asnjë njohje, u prishën e u dëmtua imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në vend që të pretendohet anëtarësimi në NATO, Këshill të Evropës, sot Kosova është nën sanksione. Kosova ka humbur terren e aleatë falë diplomacisë së papërgjegjshme. Kosova është kthyer në dele të zezë të rajonit për faj të atyre që kanë drejtuar, fatkeqësisht” – tha Limaj në konferencë për media.
Ndërsa ka thënë se për katër vite nuk ka asnjë kompani serioze që ka investuar në Kosovë.
“Shporta familjare ka shumëfishuar çmimin, qindra miliona euro të investimeve kapitale kanë mbetur të ngrira. Përmes mos-investimit publik, tregohet që ky vend është me njerëz të pafuqishëm e të befasuar nga ardhja në pushtet, pa ide për projekte, nuk dinë e as nuk guxojnë të marrimn vendime. Kosova po qeveriset me kontrata njëburimore që janë antiligjore dhe korruptive” – u shpreh ai.
Limaj këto deklarata i bëri në një konferencë të përbashkët partnerët e koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët dhe E-30.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se në qeverisjen e këtij koalicioni nuk do të ketë pagë mesatare nën 1 mijë euro.
Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin e këtyre zgjedhjeve.