Policia e Kosovës në një aksion në hotelin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit ka gjetur armatim, për të cilin ka thënë se dyshohet që ka qenë aty që nga rasti i sulmit në këtë fshat ndaj Policisë së Kosovës një vit më parë.
“Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në Hotelin Rajska Banja dhe kemi gjetë 2 jelek antiplumb, AK-47, 8 Karikator me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake. Besohet se këto prova materiale kanë qenë aty që nga rasti i Banjskës”, ka thënë për KOHËN zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka gjetur armatim në Banjskë që nga sulmi i shtatorit.
Kompleksi “Rajska Banja” u mor në administrim nga shteti në fund të vitit të shkuar. Kompleksi ishte funksional deri në marrjen e tij nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Hapjen e hotelit në Banjskë e kishte bërë Marko Gjuriq, që tash është ministër i Jashtëm i Serbisë. E, bazuar në fotot që ka publikuar faqja e kësaj banje, aty kanë qëndruar edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e zyrtarë të Listës Serbe. AKP-ja njoftoi se objekti është rinovuar pa leje dhe se është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Trepça Standard”. Në këtë kompleks ishte sekuestruar edhe ushqim.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, dhjetëra serbë të armatosur patën sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë ishin vrarë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që besohet se është në Serbi./KOHA/