KRU “Hidroregjioni Jugor”, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se të mërkurën (14.08.2024) kanë arritur të përfundojmë me sukses punimet në aftësimin e përkohshëm të pellgut ujëmbledhës të burimit “Sozi” në Nashec.
“Paraprakisht kemi kërkuar që të bëhen analizat e kualitetit të ujit të pijes. Pas marrjes së rezultateve pozitive, të analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, kemi filluar furnizimin e rregullt me ujë të pijes, pjesërisht nga dje (13.08.2024) pasdite dhe sot me kapacitet të plotë.”, bëjnë të ditur tutje në komunikatë.
Në komunikatën e publikuar KRU “Hidroregjioni Jugor” falënderon të gjithë për angazhimin në zgjidhjen e këtij problemi, si dhe qytetarët për mirëkuptimin e tyre gjatë kësaj periudhe.
“Në emër të KRU “Hidroregjioni Jugor” falënderojmë operatorin ekonomik, për angazhimin maksimal për të përfunduar punimet e parapara edhe pse në kushte aspak të favorshme teknike. Falënderojmë të gjithë stafin teknik për angazhimin e tyre profesional në përgatitjen e tenderit, mbikëqyrjen dhe mbështetjen profesionale të operatorit ekonomik, të gjithë ekspertët e fushës profesionale për idetë e tyre profesionale, në veçanti profesorin e nderuar dr. Skender Bublakun. Mbi te gjithë falënderojmë të gjithë konsumatorët për mirëkuptimin e tyre gjatë gjithë kësaj kohe.”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se do të vazhdojnë aktivitetet për përgatitjen e një projekti afatgjatë që do të zgjidh problemet në burimin “Sozi” në fshatin Nashec.
“Njoftojmë konsumatorët dhe opinionin që ne si kompani do të vazhdojmë aktivitetet intensive, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Kuvendin Komunal dhe Qeverinë e Kosovës për përgatitjen e një projekti sa më profesional, për zgjidhjen afatgjatë të problemit të burimit “Sozi” në Nashec.”, thuhet në fund të komunikatës nga KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren/TVPrizreni/