Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka qenë mysafir në drekën e ftuar nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ku është takuar edhe me ambasadorë të akredituar të BE-së.
Nëpërmjet një komunikate, Qeveria e Kosovës njoftoi se Kurti ka folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën.
“Në këtë drekë, kryeministri theksoi rëndësinë që ka Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht, dhe përgatitjet që Qeveria po bën për këtë plan. Ai bëri thirrje për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, teksa përsëriti mbështetjen dhe orientimin e qartë që Kosova ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Kurti ka munguar në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani me partitë politike. Qeveria ka thënë se arsye e mungesës së tij ishte takimi me ambasadorët, derisa Osmani u shpreh se nuk ka marrë përgjigje nga ai.
“Unë i ftoj një herë në katër vjet për zgjedhje të rregullta, mirëpo secili kryetar i partisë i zgjedh prioritetet e veta”./KOHA/