Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi nga Rahoveci, që thuhet se është me aftësi të kufizuara dhe s’ka aftësi komunikuese.
Ai është gjetur në fshatin Xërxë, ku është shoqëruar në stacionin policor, por nuk është arritur të identifikohet edhe për shkak se ai, nuk kishte dokumente identifikuese.
“Me datën 24.07.2024 rreth orës 13:30 në Stacionin Policor në Rahovec është shoqëruar një person, në dukej i mitur, i cili është gjetur në fshatin Xerxë-Rahovec, i vetëm, pa ndonjë dokument identifikimi. I njëjti duket se është me nevoja të veçanta pasi që nuk ka aftësi komunikuese. Edhe përkundër angazhimeve policore, nuk është arritur të gjenden të dhëna për identitetin e tij. Andaj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me autorizimin e prokurorit të shtetit lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për identifikim e personi të paraqitur në fotografi”, thuhet në njoftimin policor, derisa është publikuar fotografia e tij.