Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është shprehur se nëpërmjet Projektligjit për banim social do të përfitojnë familjet me gjendje jo të mirë ekonomike, duke u shprehur se 13 komuna kanë aplikuar për të përfituar nga pronat komunale për ndërtim.
Ai ka deklaruar të mërkurën para mediave se në shtator do të bëhet thirrja e ardhshme për aplikim, derisa bëri të ditur se janë shqyrtuar lokacionet dhe kushtet urbanistike.
“Në këtë mbledhje pati mjaftë ligje të rëndësishme që janë miratuar. Janë miratuar Projektligji për banim social dhe të përballueshëm. Në janar të këtij viti kemi thirrur të gjitha komunat t’i identifikojnë pronat komunale për ndërtim. Të banimin social. Kanë qenë 13 komuna që kanë aplikuar në këto lokacione. Në shtator do të bëjmë thirrjen tjetër që te aplikojnë për banim social, kemi shqyrtuar të gjitha lokacionet, kushtet urbanistike. Jemi në fazën e fillimit të projekteve detaje te zhvillimit të këtyre ndërtimeve”, është shprehur Aliu, shkroi EO.
Ai ka theksuar se banimi social do të menaxhohet nga komuna, por do të përfitojnë edhe të papunët dhe të pastrehët.
“Sapo fillojnë projektet do të aplikohet për leje. Pas kësaj faze do të ketë edhe faza të tjera. Banimi social do të menaxhohet nga komuna por do të monitorohet dhe kjo është për kategorinë e njerëzve që nuk kanë kushte të mira ekonomike. Nga ky projektligj u tha se do të përfitojnë familjet që nuk kanë të ardhura, të papunët dhe të pastrehët. Nuk kemi mundur me hy në fazën e projektit pa hyrë na fazat e para të realizimi puna përgatitore ka marrë shumë kohë, tash është procesi i finalizimit”, ka thënë Aliu./KOHA/