Prokuroria Speciale ka njoftuar se është intervistuar të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me deklaratat e saj mbi diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë.
Haxhiu është intervistuar gjithashtu edhe për deklarimet e saj lidhur me arratisjet e ndodhura së fundmi nga burgjet e Kosovës.
Prokuroria njoftoi se intervistimi i saj do të vazhdojë edhe nesër.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin ‘Debat Plus’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës. Intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Ditë më parë, ministrja Haxhiu ka deklaruar se sipas informacioneve, arratisjet nga burgjet “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”./TVPrizreni/