Të enjten, më datë 18.07.2024, Stacioni Policor Prizren ka bërë të ditur që përmes rrugëve operative ka pranuar informacion se në një aheng familjar në qytetin e Prizrenit ka të shtëna me armë zjarri.
Njësitet policore përkatëse i janë përgjigjur rastit duke lokalizuar vendin e ngjarjes, ku tek i dyshuari B.K (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar shqiptar), bëhet e ditur se kanë gjetur dhe konfiskuar në cilësinë e provave materiale dy armë të cilat ishin me leje përkatëse: një pistoletë Grisan Compact, dy karikatorë me pesë fishekë, një pushkë gjuetie dhe një rrethator me 19 fishekë.
I dyshuari i rastit është shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale ‘”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës”, njofton Policia.
Tutje, Policia u ka bërë apel qytetarëve për mospërdorim të armëve gjatë gëzimeve dhe ahengjeve familjare.
“Me këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren u bënë apel të gjithë qytetarëve për mospërdorim të armëve gjatë gëzimeve dhe ahengjeve familjare pasi në të kaluarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellur pasoja tragjike. Andaj ‘”Festoni me zemër jo me armë!”.”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë./TVPrizreni/