Sekretari i degës së partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, Edmond Hoxha, ka publikuar disa pamje të mbeturinave të grumbulluara në rrugët e qytetit të Prizrenit.
Hoxha ka kritikuar qeverisjen lokale për mosrealizim të projekteve që zgjidhin problemin e ndotjes së mjedisit me mbeturina në qendër të qytetit. Ai ka shtuar se jeta e mirë e qytetarëve në komunën e Prizrenit po trajtohet si prioritet i fundit nga organet kompetente, ndërsa sipas tij Prizreni meriton trajtim më të dinjitetshëm.
“Në kohën kur komunat duhet të jenë kreative në zhvillimin e projekteve serioze në të mirë të qytetarëve, në Prizren si komuna me buxhetin më të madh në Kosovë pas Kryeqytetit, na kanë kthyer në kohën kur duhet të mendojmë për çështje elementare.
Kjo ndodhë kur krekosja e arroganca janë gjithnjë në rend të parë, e jeta e mirë e qytetarëve si prioritet i fundit.
Prizreni meriton trajtim më të dinjitetshëm!”, thuhet në reagimin e sekretarit të degës së AAK-së në Prizren, Edmond Hoxha./TVPrizreni/